SmallMediumLarge NarrowWideFluid
Imzot Pjetër Bogdani në New York PDF Print E-mail
Saturday, 17 October 2009 12:41
New York- U mbushën 20 vjet nga koha kur në Campus Center të Fordham University Bronx, NY (më 7 tetor të vitit 1989), në kujdesin e kishës katolike “Zoja e Këshillit të Mirë” në New York, u mbajt seminari shkencor, në përkujtim të 300 - vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit.

Më pas të pranishmit, u ngritën në këmbë e nderuan dhe shoqëruan me këngë hymnet kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë, të kënduar me një pathos të veçantë nga aktivistët e palodhur të kishës: Fran Shala dhe Miliana Mirakaj.

 

 

*  *  *

 

Shpesh njerëzit e artit dhe kulturës, qoftë në trojet etnike shqiptare dhe diasporë, ku punojnë dhe jetojnë bashkëkombasit tanë, kur dëgjojnë të flitet e të shkruhet, për një seminar, për një figurë të rëndësishme të historisë dhe të kulturës sonë, i shtyn kurioziteti të bëjnë pyetjen: Si e gjejnë kohën mërgimtarët tanë në Amerikë, të merren me organzimin e kuvendit, me përmbajtje dhe nivel të lartë shkencor, mbi përkujtimin e figurës shumëplanëshe të Imzot Pjetër Bogdanit, i cili ndërroi jetë afërsisht 320 vjet më përpara!?

E natyrshëm vjen edhe përgjigjia. Komuniteti shqiptar në ShBA, ndonëse i pakët në numër, në disa shtete metropolitane kryesore, është përpjekur, sipas kushteve dhe rrethanave, mjeteve e burimeve financiare të tubohet, duke formuar klube, organizata, shoqata patriotike, kulturore, krahinore, duke vënë shpesh emertime, që përkojnë me figurat kryesore të historisë së popullit tonë.

Në këtë mënyrë, linden e u zgjeruan aktivitetet me profil shumëplanësh mbi përkujtimin e historisë, figurave, dokeve, zakoneve, traditave, gjuhës, artit, kulturës, muzikës, pikturës etj., që në formë fragmentare u bartën nga kolonët e parë emigrantë shqiptarë, që u vendosën në ShBA.

Breznitë shqiptare këtu, kanë ruajtur shumë nga tradita e të parëve të tyre, por sigurisht në masë të pakët, mbasi Amerika qindramilionësh vazhdimisht bluan me zhvillimin e integrimin e saj të vrullshëm kulturat e popujve të mëdhenj e të vegjël, të cilët bëjnë sakrifica të mëdha për t’i mbijetuar asimilimit të pashmangshëm.

Duhet thënë se rolin kryesor të mbijetesës, në komunitetin e vogël heterogjen (nga të gjithë trojet etnike) shqiptarë në Amerikë (para vitit 1990 të shekullit XX), e kanë luajtur qendrat fetare të komunitetit, ku në mënyrë të veçantë spikat me efektivitet origjinal atdhetar kisha katolike në New York.

Që prej 16 Qershorit 1962, kur  themelohet Lidhja Katolike Shqiptare - Amerikane (The Albanian American Catholic League) në St. Cyril’s Slovenian Catholic Church, 62 St. Mark’s Place, New York, është bërë traditë ecja në gjurmët e paraardhësve shumëshekullore të prelatëve dhe shoqërive të ndryshme fetare, kulturore e patriotike të vendlindjes, të mbahen gjallë e të pasurohen më tej vlerat tona kulturore…

 

Si lindi ideja dhe suksesi?

 

 

Ideja qëllimmirë, për të përkujtuar dhe nderuar personalitetin e madh të shek. XVII, Imzot Pjetër Bogdanin dhe veprën e tij, u paraqit në fillim, në mbledhjen, që mbajti këshillit i kishës katolike “Zoja e Këshillit të Mirë” në Bronx, NY (në muajin dhetor të vitit 1988), nga z. Gjek Gjonlekaj, aktivist i njohur në komunitetin katolik dhe ish - gazetar i Radios “Zërit të Amerikës”, administratori i kishës, I Përndershmi Dom Rrok Mirdita dhe krejt këshilli i kishës, përmes kryetarit të saj z. Tonin Mirakaj e miratoi njëzëri idenë e mirëseardhur.

Që nga ai moment i gëzueshëm, u vendos bashkërisht, që në mbledhjen e parë në Vitin e Ri 1989 të zgjidhet një komision, që të fillojë përgatitjet e nevojshme, të caktojë pikat e projektit të rëndësishëm, duke përfshirë me saktësi e detaje kohën, vendin si dhe të vendoset se kush do të jenë ligjëruesit shkenctarë, në fushën e studimeve të letrave shqipe dhe albanologë të shquar, që do të kumtojnë më temat e tyre për rastin solemn të përkujtimit të arqipeshkvit shqiptar.

 Për organizimin puna filloi pa humbur kohë. Ishte një ide dhe punë serioze, që kërkonte shumë mund, kohë, durim, shpenzime monetare etj., tashmë kishte filluar të bëhet realitet, falë angazhimit serioz të këshillit të kishës, përmes kryetarit dhe stafit, që e shoqëronte atë.

Kështu me 12 shkurt 1989, këshilli i kishës, zgjodhi komisionin përgatitës të seminarit, të përbërë prej zotërinjve: Tonin Mirakaj kryetar dhe antarët e nderuar: Gjek Gjonlekaj, Preç Koçaj, Ndoc Shkreli, Pretash Curanaj, Gjelosh Rukaj, Aleks Mirdita, Simon Simolacaj, Fran Shala.

Më 24 maj 1989, në ambientet e kishës shqiptare, grupi i punës përgatitore i kryesuar nga z. Tonin Mirakaj dhe administratori i kishës I Përndershmi Dom Rrok Mirdita, morën pjesë në takimin e parë, për të diskutuar programin dhe procedurat e tjera që duheshin, për mbarëvajtjen sa më të mirë të punimeve të seminarit në fjalë.

Të gjithë ishin të impenjuar seriozisht dhe me një ndjeshmëri të lartë atdhetare, që manifestimi më i rëndësishëm kulturor, të dalë me një nivel sa më të lartë dhe miqtë e ftuar ta ndjejnë vetën si në shtëpinë e tyre.

Në këtë mbledhje, u bisedua rreth organizimit me karakter ndërkombëtar të tubimit, si i vetmi në llojin e vet, në komunitetin shqiptar të Amerikës dhe një rast unikal në botën shqiptare asokohe të mergatës.

Vetë prania e personaliteteve të shquara në evenimentin special, tregonte sesa me seriozitet e kishte marrë komisioni përgatitës, organizimin deri në detaje të tubimit, në përkujtim të klerikut, letrarit, dijetarit dhe personalitetit te ndritur të historisë së popullit shqiptar ipeshkëvit  Bogdani, duke nderuar dhe respektuar kësisoj jetën dhe veprën e tij, në dobi të kombit të vet.

Karakteri ndërkombëtar, vinte nga fakti, se folësit profesionistë, do të ftoheshin nga Gjermania, Italia, Kosova dhe ShBA - ës. Për të pasur kohën e mjaftueshme, për organizimin u caktua, që seminari të mbahet në ambientet e Fordham University në Bronx, New York, më datën 7 tetor 1989.

Në lajmërimin e hartuar nga komisioni përgatitës, që mban datën 3 korrik 1989, ndër të tjera lexojmë: “Këshilli i kishës katolike shqiptare në New York, adminstratorit I Përndershmi Dom Rrok Mirdita dhe ndihmësi i tij Dom Pjetër Popaj, lajmërojnë të gjithë bashkësinë shqiptare, se me datën 7 tetor 1989, do të mbahet një “Seminar Përkujtimor”, me rastin e 300 - vjetorit të vdekjes së Ipeshkvit të kishës katolike, teologut, shkrimtarit, themeluesit të letërsisë shqipe dhe patriotit të madh shqiptar Imzot Pjetër Bogdanit... Të gjithë shqiptarët pa përjashtim janë të mirëpritur. Për dashamirët dhe ata që studiojnë kulturën dhe letërsinë shqipe, është një rast shumë i përshtatshëm e i rrallë, ku, kanë për të pasur mundësinë të dëgjojnë vërtetë mjeshtër të albanologjisë shqiptare, sipas temave të përzgjedhura.”

Në atë mbledhje u vendos, që seminari të mbahet në restorantin “Eastwood Manor”, 3371, Eastchester Road, Bronx, New York, aktiviteti ishte parashikuar të fillonte në orën 12:30 të ditës, duke vijuar deri në orën katër të mbasditës.

Mirëpo në tubimin tjetër organizativ po për këtë problem, u vendos përfundimisht, që aktiviteti shkencorë, të mbahet në Fordham University, duke lëshuar me këtë rast edhe lajmërime të reja, për komunitetin shqiptar në Amerikë.

U vendos gjithashtu, që të ftohen si kumtues: Atë Danjel Gjeçaj O.F.M. nga Roma (Itali) Prof. dr. Martin Camaj Mynihu (Gjermani), Prof. Arshi Pipa (ShBA). Aktivisti i palodhur i komunitetit tonë, gazetari z. Gjek Gjonlekaj, në mbledhje, propozoi, që të ftohen edhe ligjerues nga Kosova, duke përmendur dhe përshkruar me një Curricum Vitae esenciale emrat e dy albanologëve të shquar, si: Prof. dr. Ibrahim Rugova dhe Prof. dr. Engjëll Sedaj.

Mirëpo grupi përgatitor, i kryesuar nga zoti Mirakaj, kishte menduar edhe alternativën tjetër. Kështu, nëse ishte e pamundur ardhja e studiuesve nga Kosova, për arsye objektive, të situatës së ndezur politike në ato vite në krahinën autonome, u mendua, që të ftohen Imzot Nikë Prela (1918 – 1996) ipeshkëv i Kosovës dhe Imzot Pjetër Perkoliq arqipeshkëv i Tivarit dhe Primat i Serbisë.

Administratori i Kishës, I Përndershmi Dom Rrok Mirdita dhe komisioni, pranoi këtë propozim, për vijimsinë e realizimit të programit të përkujtimit me propozimet e reja, nëse mungojnë studiuesit e shquar kosovarë.

I kudondodhuri e i palodhuri, z. Mirakaj, pa vonesë, u angazhua drejtpërdrejtë me formalitetet e tjera të rëndsishme, duke u dërguar menjeherë ftesat zyrtare personave të lartpërmendur, në emër të këshillit të kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” New York.

Pa vonesë, u nisën me postë të gjithë ftesat zyrtare, për studiuesit profesionistë të jetës dhe veprës së Imzot Bogdanit, të cilat u konfirmuan me përgjigje pozitive mbas disa ditësh nga Patër Danjel Gjeçaj, Prof. Arshi Pipa, Prof. dr. Engjëll Sedaj dhe Prof. dr. Martin Camaj.

Të gjithë të ftuarit special si kumtues, shprehen kënaqësinë për insiativën e mirëseardhur dhe pranuan me shumë dëshirë e kënaqsi shpirtërore, për të marrë pjesë në evenimentin shumë të rëndsishëm  mbarëshqiptarë.

Profesor Martin Camaj, duke kërkuar ndjesë, në pamundësi për të qenë atë ditë fizikisht në New York si ligjërues, me postë dërgon punimin shkencorë, që në ditën e seminarit u lexua nga dikush tjetër.

Për të mos pasur  përsëritje në temat e autorëve që kishin marrë për studim, u kerkua për efekt edhe të programit ose fletëpalosjes, (që do t’u jepej edhe të pranishmëve në auditorin e Universitetit), studiuesit të përcaktojnë dhe dërgojnë mundësisht titujt e temave të tyre me profile të ndryshme mbi Imzot Pjetër Bogdanin dhe veprën e tij.

Jo të gjithë konfirmimet kishin mbërritur në qendrën e komisionit organizues të seminarit. Mungonte përgjigja e ftesës pozitive ose negative nga albanologu Prof. dr. Ibrahim Rugova. Kështu në lajmërimin, që komisioni përgatitës lëshoi më 3 korrik 1989, për mbajtjen e seminarit, nuk gjindej emri i tij. Të gjithë ishin të shqetësuar, pse nuk kishte asnjë përgjigje nga Dr. Rugova.

Nga ana e tjetër, sikurse kujton z. Tonin Mirakaj: “Ai e kishte marrë ftesën dhe ishte përgjigj pozitivisht, por se përgjigja e tij me shkrim kishte “humbur” në “postën” ish - Jugosllave askohe.”

Profesor Engjëll Sedaj lajmëroi z. Tonin Mirakaj, se Prof. dr. Ibrahim Rugova e ka marrë ftesën dhe është përgjigjë pozitivisht. Por sërisht enigma vijonte të brente komisionin, i cili i bazuar në konfirmimin e Prof. dr. Engjëll Sedajt, u dërgon menjëherë dy albanologëve kosovarë garancitë dhe biletat e udhëtimit me linjën ajrore të kompanisë jugosllave “JAT”, për një qëndrim në ShBA për 10 ditë.

Me datën 30 gusht z. Gjek Gjonlekaj, mundi të gjente numërin e telefonit privat të Prof. dr. Ibrahim Rugovës, të cilin ia dha z. Tonin Mirakaj. Mbas disa përpjekjeve, z. Mirakaj, ra në kontakt direkt me albanologun. Ai u gëzua shumë për ftesën, nderimin dhe vlerësimin, që kisha katolike shqiptare në New York dhe komuniteti shqiptar i kishte bërë atij, për të qenë një mik i nderuar midis mërgimtarëve në Amerikë.

Në bisedë e sipër Dr. Rugova, konfirmoi se e kishte marrë ftesën dhe shtoi, se: “Jam përgjigjur pozitivisht se do të marre pjesë me shumë gëzim, porse përgjigja ime ka “humbur” në postë…

Aktivisti Mirakaj, mbasi e falënderoj për bisedën e ngrohtë që po zhvillonin, e vuri në dijeni, se garancitë dhe biletat e udhëtimit Jugosllavi - New York dhe kthimi me linjën ajrore “JAT”, ua kishte dërguar dy ditë më parë me postë, në adresën e Institutit Albanologjik të Prishtinës, pranë Universitetit të kryeqytetit.

Nga ana e tjetër Prof. dr. Ibrahim Rugova, u interesua për temat e folësve në seminar, në mënyrë që të mos kishte përsëritje të kumtesave nga studiuesit. Në këtë bisedë, iu dha tema e caktuar për atë qëllim: “Historia shqiptare në veprën e Bogdanit”. Ai e pranoi me shumë kënaqësi, duke përshëndetur në telefon: “Mirë u pafshim në New York!

Publicisti veteran z. Tonin Mirakaj, gjithë ditën e gjatë orëve të mbasditës, përveç punës së përditshme, lëvizte në shumë drejtime, për përgatitjen deri në detaje e të gjithë programit të caktuar, për realizimin sa më mirë e me detajet më të vogla të simpoziumit. Ai pa vonesë lajmëron meshtarin Të Përndershmin Dom Rrok Mirditën, aktivistin z. Gjek Gjonlekaj dhe antarët e tjerë të komisionit, për bisedën e zhvilluar në telefon me albanologun e mirënjohur Prof. dr. Ibrahim Rugovën.

Ishte koha e përshtatshme, për të gjetur një auditor të madh dhe shumë komod, për ligjëruesit dhe pjesëmarrësit e shumtë, që do të nderonin figurën e prelatit e atdhetarit të madh shqiptar.

Komisioni nën drejtimin e z. Mirakaj, bie në kontakt me menaxheret dhe stafin e Fordham University në Bronx, New York. Qëllimi kryesor i tyre ishte sigurimi i një salle komode me kapacitet të madh vendesh, podiumi dhe elementët e tjerë të fonisë.

Zoti, po ndihmonte me bujari të gjithë aktivistët e kishës, që kishin njetin dhe vullnetin e mirë. U sigurua salla e Universitetit e u shpërndanë menjëherë lajmërimet qendrave të informimit radiove dhe mediave informuese të shkruar të komunitetit tonë.

 

 

Dr. Rugova, ishte një problem!?

 

Me ardhjen e Dr. Rugovës, u plotësua lista e folësve, duke krijuar kësisoj portretet e personaliteteve të shquara të kulturës dhe letërsisë së botës shqiptare.

Kujtojmë, se asokohe Dr. Rugova, njihej vetëm si një shkrimtar, edukator, albanolog i letrave shqipe, por se në politikë ishte në fillim të aktivitetit të tij. Në këtë mënyrë, lajmi i ardhjes së tij në New York, përbënte një ngjarje të rëndësishme për të gjithë mërgatën tonë në Amerikë.

Mirëpo nga ana e tjetër, lajmi i gëzueshëm, solli një problem të madh, për organizatorët e aktivitetit kulturor. Fakti, se ai tashmë po bëhej një person publik me reputacion në rritje, bëri që organizatorët të mendonin më shumë për sigurinë e tij. Tashmë, ai duhej ruajtur nga ndonjë rrezik i papritur ose i organizuar nga elementë keqbërës, që në këtë rast mund të turpëronte kishën dhe komisionin organizues.

Nga të gjithë grupi i punës, u mendua, që për profesorët e ardhur nga Kosova Prof. dr. Ibrahim Rugova dhe Prof. dr. Engjëll Sedaj, të sigurohej vendqëndrimi në një ndër hotelet më të mira dhe me eksperiencë, në ruajtjen e diplomatëve botërorë, pra me reputacion të njohur në këtë vend.

Për këtë qëllim, u shfrytëzua miqësia e djalit të aktivistit Tonin Mirakaj, të riut Danjel Mirakaj, i cili me dëshirë të madhe u takua me miqtë e vet në Manhattan East Hotels. U sigurua një suite me dy dhoma fjetjeje komode dhe dhomë pritjeje në “Beekman Towers” në 49 th Street, në katin e 17 - të (Manhattan, New York) nga dritaret e së cilës, shihej për bukuri ndërtesa e madhe e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Një vend shumë i përshtatshëm, për mysafirët e shtrenjtë, u rezervua nga vetë kisha dhe komunitetit ynë në New York. Prof. Dr. Ibrahim Rugova, ishte shumë i gëzuar dhe emocionuar se gjendej përballë OKB - së. Ndërsa po i hedhte një vështrim përkëdhelës ndërtesës prej xhami të Kombeve të Bashkuara nga dritarja, Prof. Rugova, me buzëqeshje tha: “Aty në atë ndërtesë do të zgjidhet problemi i Kosovës!

Për arsye sigurie, nuk u lajmërua nga mediat e komunitetit ora e mbërritjes së tij. Në aeroport profesorët kosovarë, u pritën nga një grup i vogël, i përbërë nga administratori i kishës katolike shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” I Përndershmi Dom Rrok Mirdita, Dom Pjetër Popaj, kryetari i këshillit të kishës z. Tonin Mirakaj, z. Gjek Gjonlekaj dhe antarë të komisionit përgatitës. Përveç makinave personale, familja Biberaj, kishte dërguar një limozinë për mysafirët, në shenjë respekti dhe vlerësimi të lartë.

Nga aeroporti “J.FK.”, automjetet në karvan u nisën për në “Beekman Towrs”, ku lanë valigjet e mysaferëve e u ngjitën sëbashku të gjithë në banesën e aktivistit z. Tonin Mirakaj në Fifth Avenue, Manhattan, New York, ku u kalua një mbrëmje shumë e gëzueshme. Nga kjo darkë dhe mikpritje tipike bujarie shqiptare, z. Mirakaj, ruan shumë mbresa e kujtime të pashlyeshme.

Ndër të tjera, ai rikujton: “Profesor Rugova, pinte shumë duhan, cigare mbas cigares pa ndërprerje. Ai edhe kur hante bukë, cigaren e mbante të ndezur në njenen dore. Gjatë darkës bashkëshortja ime Miliana, kur e pa me cigare të ndezur, u afrua të merrte pjatën. Duke buzëqeshur profesor Rugova, iu drejtua asaj: jo zonjë, se kështu e kam unë, ushqim dhe duhan bashkë! Të gjithë që ishim aty qeshëm dhe atmosfera u bë edhe më e gëzueshme. Ata ndieshin si në shtëpinë e tyre, duke kaluar kështu orët e imta të mbrëmjes ngrohtësisht. Në atë mbrëmje, ndër të ftuarit ishte miku im doktor Salvatore Delprete, i cili kishte vënë re me habi mënyrën sesi Profesor Rugova e pinte duhanin pa ndërprerje. Dr. Delprete, kishte pa gjithashtu, ndonëse nuk e kuptonte gjuhën shqipe, se Prof. Rugova, ishte një njeri me rëndësi nga mënyra se si njerëzit silleshin rreth tij. Tonin, më tha: “Thuaj Profesorit, se duhani ka me i marrë jetën, po e vazhdoj në atë mënyrë!”. I thashë Dr. Rugovës çka tha doktori. Mbasi e falënderoj doktorin, për kujdesin që tregoi, tha: “Eshtë e vërtetë, se duhani do të më shkurtoj jetën, por në këtë kohë, nuk mundem ta lë duhanin. Ndoshta një ditë, dikur në të ardhmen, kush e di!?…”

Mbas darkës mysafirët, u shoqëruan në “Beekman Towers” që të shlodhen dhe të përgatitën për seminarin, që fillonte me datën 7 tetor 1989, në ora 10 të mëngjesit…

Qysh në orët e para të mëngjesit vjeshtor, grupi organizativ, me në krye  z. Tonin Mirakaj, administratori e kishës, I Përndershmi Dom Rrok Mirdita dhe Dom Pjetër Popaj, ishin në ambientet komode, ku pritej të mbahej tubimit.

Salla e madhe e Fordham University, ishte e mbushur plot e për plot dhe qindra bashkëatdhetarë të tjerë qëndronin në koridor në pritje. Dyert ishin të hapura dhe nga dritaret e mëdha ata që nuk kishin mundur të gjenin vend për t’u ulur prisnin të ndiqnin fillimin dhe zhvillimin e takimit kulturor dhe përkujtimor, kushtuar burrit dhe prelatit të madh të kombit. Pjesëmarrja e madhe e bashkëkombasve i kishte kaluar parashikimet e organizatorëve të tubimit atdhetar. 

Në kohën e caktuar, në mes duatrokitjeve dhe buzëqeshjeve mirëseardhëse kryetari z. Tonin Mirakaj, hapi siparin e punimeve të seminarit, dhe ftoi Të Përndershmin Dom Pjetër Popaj, që të thotë Lutjen Shpirtërore të rastit. Mbas lutjes, simbas programit të detajuar me kujdes, u kënduan hymnet kombëtare të ShBA - së dhe Shqipërisë, përmes zërit melodios nga aktivistja e kishës zonja Miliana Mirakaj dhe zoti Fran Shala. U këndua, gjithashtu kënga “Trim vigan Pjetër Bogdani” nga kori i kishës katolike shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe shoqëruar në piano nga kompozitori kosovar Gjon Gjevelekaj.

Sërisht z. Mirakaj, paraqiti kryetarin e seminarit, Të Përndershmin Dom Rrok Mirdita. Ndër të tjera, në fjalën e tij tha: “Për të kryesue seminarin, komisioni përgatitës, ka zgjedhur një person, me të vërtetë të kualifikuar, në kuptimin e plotë të fjalës. Ky për një kohë të gjatë mëse 24 - vjeçare, është në shërbim të Zotit dhe bashkëatdhetarëve të tij, dhe 16 vjet prej këtyne, në shërbim të komunitetit katolik shqiptar në New York me rrethe… Krahas me ushtrimin e detyrës së tij si bari shpirtnuer i komunitetit katolik, ky ushqen një dashuni të zjarrtë për gjuhë, kulturë, letërsi dhe tradita kombëtare, të cilat janë bazë e ekzistencës së grupeve etnike këtu në Amerikë dhe mbahen, ruhen dhe përtrihen, me aktivitete fetare e shoqnore.”

Gjatë kohës, që përmendeshin me radhë emrat e personaliteteve pjesëmarrës, duatrokitjet frenetike shoqëruan gjithësecilin. Por salla, ushtoi edhe më shumë, kur u përmend emri i Prof. dr. Ibrahim Rugovës, liderit të ri të popullit martir të Kosovës.

Folësit u paraqitën me radhë, sipas programit nga I Përndershmi Dom Pjetër Popaj, z. Tonin Mirakaj e I Përndershmi Dom Rrok Mirdita. Kur erdhi radha, punimi shkencor i Prof. dr. Martin Camaj, u lexua nga kryetari i seminarit, I Përndershmi Dom Rrok Mirdita.

Perkujtimi kulturor përfundoi në ora 5 mbasdite, me fjalën përmbyllëse të kryetarit dhe meshtarit katolik, Të Përndershmit Dom Rrok Mirdita.

Administratori i kishës, Dom Rrok  Mirdita, tha: “Mbyllja e seminarit, do të merrete shumë kohë me falenderue të gjithë ato që kanë punue, për ketë tubim kulturor, që të dalë më sukses. Megjithatë, nuk mundem kurrsesi pa përmend disa prej tyne. Kujt ma parë me u falenderue, se profesorave këtu, njerëz të shquem të shkencës së albanologjisë, të cilët, jo vetëm se kanë derdh djersë e mund, por janë lodhë me ardh prej larg. I falënderoj të gjithë, që na e bane të mundun me e njoftë ma mirë viganin e letërsisë dhe prelatin e naltë të kishës katolike Imzot Pjetër Bogdanin. Falënderoj komisionin përgatitës, me në krye z. Tonin Mirakaj, i cili nuk u kursye asnjëherë, nuk kursej kohë as të holla për të bërë të mundur daljen me sukses të këtij seminari. Falënderoj zotnijtë: Gjek Gjonlekajn, Preç Kaçaj e shumë të tjerë, të cilët do ti përmendim në darkën që do të kemi. Nuk mund të lë papërmend, bijën shqiptare Pashka Elezaj, e cila jo vetëm na zbukuroj sallën, por edhe na ofroj ma tepër afër Bogdanin, me pikturen që ajo me mjeshtëri e realizoi. Falënderoj Prof. dr. Engjëll Sedajn, për pikturën e bukur të Bogdanit, që ai na dhuroj. Këto bahen pasuni e Shoqnisë “Pjetër Bogdani”, e cila, qysh më sot i ka rranjët edhe këtu, sepse ishte ai, i cili, punoi e jetoj shumë për ruajtjen e thesarit të çmueshëm letrar e kombëtar deri sa kaloi në amshim. Ai ruajti si dritën e synit gjithçka kombëtare. Në këtë mënyrë, ne mund ti japim vlerën, që meriton këtij kolosi të ndritun të kombit tonë, duke e radhitur kështu me dinjitet në vendin e metiruar në panteonin e artë të kulturës shqiptare.”

 

Darkë gazmore

Në mbrëmje të datës 7 tetor 1989, në ora 7 mbasdite, komisioni përgatitës i seminarit, organizoi një darkë gazmore, në respekt të folësve të shquar nga Europa dhe Amerika, në restorantin “Eastwood Manor” Bronx, New York, ku morën pjesë mëse 700 bashkatdhetarë, që kishin ardhur nga shtete të ndryshme të Amerikës.

Darka u kryesua nga krytari i këshillit të kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” z. Tonin Mirakaj, i cili mbas një përshendetje të shkurtër, u paraqiti pjesëmarrësve mysafirët e shquar në tryezen e nderit. Midis tyre shquheshin Atë Danjel Gjeçaj O.F.M., Dom Rrok Mirdita administrator i kishës shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, Prof. dr. Ibrahim Rugova, Dom Pjetër Popaj ndihmësadministrator i kishës “Zoja e Këshillit të Mirë”, Prof. dr. Engjëll Sedaj, Prof. Arshi Pipa dhe gazetari i “Rilindjes” në Prishtinë z. Agim Fetahu. Darka, kaloi mes një atmosfere të ngrohtë dhe miqësore. Të gjithë miqtë e nderit e  ndjenin vetën si në shtëpinë e tyre.

Kryetari i darkës njoftoi pjesëmarrësit, se gjatë kësaj darke festive, fjalimet janë të kufizuara nga vetë fakti se me fjalime kishte kaluar e gjithë dita në Fordham University, duke i lënë vendin muzikës dhe humorit popullor në tavolinat, ku tashmë ndanin gëzimin e përbashkët të gjithë bashkëatdhetarët tanë.

Muzika me instrumente tradicionale popullore me këngëtarë të komunitetit, ishte pjesa më e bukur dhe një mënyrë më shumë, për të ndjerë vetën të gjithë si në një shtëpi të madhe. Kësisoj grupi muzikor dhe kërcimtarët e “Rozafatit” (1978), e ngritur pranë Qendrës Kulturore të kishës, bëri që të këndonin të gjithë me gojë e zemër këngët e bukura të gurrës origjinale popullore, të drejtuar me mjeshtëri nga aktivisti z. Fran Shala. Një kërcim artistik, që solli kënaqësi për të gjithë, ishte “Vallja e Rugovës”, e vjetër sa vetë historia e krahinës me të njëjtin emër, që u interpretua me ndjesi zemre e kënaqësi shpirti nga grupi i njohur “Rozafat”.

 

 

 

Një javë me mysafirët

 

Suksesi më i madh sa pritej asokohe, ishte ruajtur në ditën e seminarit, ku u tubuan mijëra shqiptarë nga disa shtete të Amerikës. Media i bëri jehonë, duke e pasqyruar nëpër faqet e gazetave dhe revistave që botoheshin në Amerikë, ndërsa në Shqipëri sundonte një heshtje varri.

Kështu gazeta “Zëri i Atdheut” (Tetor - Nëntor 1989), në një artikull redaksional me titull: “Madhështia e një Seminari”, ndër të tjera shkruante: “Nji tjetër arsye, që e zgjoi kërshërinë e mërgimtarëve shqiptarë për këtë eveniment historik, kombëtar, fetar e kulturor, ishte ajo, që kisha katholike shqiptare i ftoi me marrë pjesë në ketë seminar dy shkollar shqiptar nga Kosova, përndryshe studijues të rrastë të Pjetër Bogdanit dhe veprës së tij gjeniale: Prof. dr. Ibrahim Rugova Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës – njeni ndër përfaqsuesit ma eminent të kulturës shqiptare jo vetëm të Kosovës dhe kolegu i tij Prof. dr. Engjëll Sedaj – që të dy profesorë në Universitetin e Kosovës në Prishtinë. Pjesëmarrja me aqë shumicë dhe rangu aq i naltë akademik i ligjëruesve të rastit të lejshin me kuptue pamvarsisht, se gjindeshim në njenën nga dy qendrat krysore të kulturës shqiptare - në Tiranë a PrishtinëShtojmë, sesi në seminar, ashtu edhe në darkë, mori pjesë z. Tom Christo, shqiptar i gjeneratës së parë i lindun këtu në ShBA nga New Hamshire, i cili, njiherit asht edhe kandidat në vitin që vjen i Partisë Republikane për senator të Shteteve të Bashkuara t’Amerikës, ku u njoh dhe u përshëndet me shumë mërgimtarë shqiptarë.”

Ndërsa radio “Zëri i Shqiptarëve të Lirë” (Edicioni i parë i lajmeve, më 28 Nëntor 1989),dhe “Revista Radiofonike e Shqiptarëve të Amerikës”, komentuen shume favoreshem mbi zhvillimin e punimeve te seminarit.

Jo larg tyre mbetën edhe gazeta e vjetër e komunitetit tonë “Dielli” (1909) e Federatës Panshqiptare “Vatra”(1912), e cila në kolonat e saj shkrimore, i la një vend të rëndësishëm zhvillimit të punimeve të seminarit.

Revista “Koha e Jonë”, që asokohe dilte në Francë, botoi një artikull analitik mbi tubimin kulturor, duke e ilustruar figurën e Imzot Pjeter Bogdanit me përkujtimin, që kisha katolike “Zoja e Këshillit të Mirë”, nën udhëheqjen e klerikëve Të Përndershëmve Dom Rrok Mirdita e Dom Pjetër Popaj dhe kryetarit të këshillit të kishës z. Tonin Mirakaj, mundën që të korrin suksesin e një pune të madhe përkushtuese dhe vullnetare për mbarëvajtjen e seminarit.

Koha e lirë mbas seminarit me miqtë special të ftuar nga Kosova, si: Prof. dr. Ibrahim Rugova dhe Prof. dr. Engjell Sedaj, Prof. Arshi Pipën dhe Atë Danjel Gjeçaj O.F.M., kaloi në një atmosteferë miqsore me darka e shetitje të lira, në ambientet e bukura të Manhattan - it New York.

Profesorët Rugova e Sedaj, udhëtuan në Washington D.C., të shoqëruar nga antari i  komisionit përgatitës z. Simon Simolacaj, ku kaluan dy ditë të këndshme. Atje i priti Drejtori i Seksionit për Europën Lindore në Radion “Zëri i Amerikës” z. Fran Shkreli. Në Washington D.C., patën disa takime private, me zyrtarë të Qeverisë dhe Kongresit Amerikan. Me kërkesën e mysafirëve të shquar, me ke u takuan nuk u bë publike. Atë dëshirë të tyre e ruajmë edhe sot.

Është një fakt i pamohueshëm, se në këto takime private dhe publike që pasuan mbas përfundimit të punimeve të seminarit, filloi aktiviteti diplomatik i Dr. Ibrahim Rugovës. Ditën që u kthyen për në vendlindje studiuesit kosovarë Rugova dhe Sedaj, u përcollën për në aeroportin “John F. Kennedy.” nga meshtarët e kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” Të Përndershmit Dom Rrok Mirdita, Dom Pjetër Popaj, z. Tonin Mirakaj, antarët e komisionit përgatitës të seminarit z. Gjek Gjonlekaj, z. Simon Simonlacaj dhe një grup shqiptarësh, ndër të cilët shquheshin vëllezërit Sabit dhe Seidi Bityçi, z. Zef Camaj etj.

Gjatë kësaj jave, duhet përmendur bujaria fisnike tradicionale shqiptare e zotërinjve: Simon Simolacaj, Tonny Shkrelit, Nikollë Shala, Fran Shala, Sabit dhe Seidi Bityçi e të tjerë, që nuk kursyen asgjë, për ta bërë sa më të këndshme qëndrimin e profesorëve të nderuar në New York. Biletat e udhëtimit airor për profesorët kosovar u paguen bujarisht nga z. Ndoc Shkreli.

 

Letra urimi për Seminarin

Kur seminari tashmë kishte javë, që kishte mbyllur siparin njëditor në New York, në kishën katolike “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe në postën private të kryetarit të këshillit të kishës z. Tonin Mirakaj, vijonin të vinin letra përgëzimi, për suksesin dhe kënaqësinë, që u dha shqiptarëve seminari ndërkombëtar, kushtuar figurës së madhe të Imzot Pjetër Bogdanit nga miq, shokë, dashmirë, bashkëatdhetarë në shtete të ndryshme të botës.

Midis tyre, po veçoj letrën, që kleriku françeskan Atë Danjel Gjeçaj O.F.M., i ka dërguar mikut të tij të ngushtë z. Mirakaj, ku ndër të tjera shkruan:

Fort i dashtuni Tonin!

Sot e kam marrë letrën tande dhe artikullin: për të tria të falem nderës me zemër. Falënderimet e mija ma të ngrohtat – thonë toskët – janë ato të punës sate e të familjes sate për kishën shqiptare, e cila, ban pjesë të gjallë të kishës sonë martire të vendit tonë të robnuem e njiheri asht gjymtyrë e kishës së përbotshme të katholiçizmit.

Më vjen mirë, për lajme e jehonë, qi ka lanë seminari i 300 - vjetorit të Imzot Pjetër Bogdanit dhe gëzohem tejet qi mundi juej s’ka shkue pa sodisfaksion. Edhe ky asht ndër njerëz i nevojshëm dhe ngushllues. Më gëzoi kumtimi, se me vullëndetin e mirë të disave e me ndihmën e të tjerëve, ka për t’u plotsue ndërmarrja aq e vlefshme e aq e lartë, sa asht nji vepër e tillë madhështore.

Nji Shqipni të vogël dhe nji kishë të fuqishme, me ndihmën e Zotit, duhet të ndërtojmë në botën e madhe të Amerikës, prej kah rishtas, me ndihmen e Atij të Lumit, kemi për t’i qitë themelet e reja kishës së Shqipnisë së lirë. Ashtu e premtoftë Zoti e na ndihmoftë Zoja e Shkodrës! Un prej anës seme, kam mbetë fort kondon, me ardhjen teme atje si nga ana e Dom Rrokut e Dom Pjetrit, ashtu edhe nga ana e jote me Milianën: për këta e kam dijtë që me kohë se s’më mungon dashtnia e juej.

Mos u lodhni kurrë në ndihmë, qi mundeni me i dhanë meshtarëve zelltarë t’uej mbasi çdo mund i derdhun rreth tyne asht meritim para Zotit e Atdheut.

- Prej Dom Anton Kçirës, kam marrë letër e më difton se asht rregullue mjaft mirë, dhe se tash për tash punët janë premtuese. Natyrisht, kurrnji vepër e madhe s’kryhet pa vështirsi, por besoj se Dom Antoni, asht i pjekun e ka për të dijtë me i kalue të tana pengesat.

Përsa i përket botimit të simpoziumit, un kishem me thanë, se në kje se botoni edhe ndonji artikull apo përmbledhje anglisht, atëbotë asht ma mirë të botohet atje: po kje krejt shqip me pa gabime del këtu nën kujdesin tem. Çmimin e përpikët s’mund e dij pa pasë tekstin, por bane hesapë kund 400 - 500 mij gjashtëmbëdhetë faqëshin, përse kështu çmohet shtypi. Nënkuptohet, se këtij çmimi, i duhen shtue fotografitë e kopertina.

Me kaq edhe nji herë falënderimet e mija e njimij shëndete ty, Milianës fort e fort, Danjelit, Eleonorës dhe Dianës.

Mbetem me dashtëni i juaji At Danjel Gjeçaj.”

Ndërsa në letrën që akademik Prof. dr. Engjëll Sedaj (Prishtinë, 26.10.1989), i ka dërguar z. T. Mirakaj, përshkruan me mirënjohje mbresat e pashlyeshme të vizitës së fundit në New York, ngrohtësia e bashkëatdhetarëve, treguar ndaj të gjithë referuesve në tubimin kulturor, shkruan:

Fort të dashurit Tonin dhe Milianë!

Kaluan dhjetë ditë, që kur u kthyem nga New York - u, por kurrsesi të kalojmë në jetën e këtushme: mendje dhe mbresat e atjeshit, mikëpritja e përzemërtë dhe shumë e ngrohtë e shtëpisë Tuaj dhe kujdesi atëror, madje edhe për gjendjen materiale tonën ndikoi që para së gjithësh, ju të dytë, të bëheni anëtarë edhe të familjeve tona.

Me mallëngjim e përkujtoj atë natë të parën, kur ne, të lodhur nga rruga, nuk ishim në gjendje sa duhet të marrim pjesë aktive në atë pritje: në aeroport, në shtëpi dhe gjetiu.

Vendosja në hotel, kontaktet me njerëz dhe mbi të gjithat seminari i suksesshëm, i organizuar mirë nga ju dhe i mirëpritur nga pjesëmarrësit, shkaktoi kënaqësi dhe më dha zemër që për atë botë, atje diku përtej detit të gjërë, të bëj edhe me tepër në planin kulturor, që të ushqhen ata njerëz me ndonjë mendim të mirë dhe me shëmbëlltyrat tona të ndritshme nga e kaluara e lavdishme.

Ç’është e vërteta, ne më tepër ishim mysafirë tuaj, sesa pjesëmarrës të seminarit për Bogdanin. Çdo gjë lidhej me Tonin dhe në çdo vend disi takoheshim me te dhe Milianën.

Falënderoj nga zemra dhe fëmijët tuaj, të cilëve, ju kemi çrregulluar rendin e ditës, mësimin etj.

Këtu lajmi mbi pjesëmarrjen tonë në seminar, u mirëprit dhe madje në Fakultetin tonë menjëherë u përkrah inisiativa, që pikërisht më 6 dhjetor të bejmë një mbrëmje përkujtimore për Imzot P. Bogdanin.

Më 21 tetor, ishim në Zym të Hasit në “Takimet e Gjeçovit”, ku temë e vetme ishte përvjetori i Bogdanit. Për jetën dhe veprën e tij fola nja një orë dhe interesimi vërtet ishte i madh, në këtë vendlindje të tij.

Mendo, se edhe në Rektorat, është pranuar insiativa, sikur edhe në Akademinë e Shkencave, që të shënohet ky përvjetor. Kam pranuar shumë ftesa nëpër shkolla dhe biblioteka të qyteteve, për të folur për Bogdanin e madh. Këtë do ta bëjmë me kënaqësi gjithkund.

Ju marrë grykë dhe ju përshëndesim përzemërsisht: Engjëlli, Jozefina, Oliveri dhe Leonora.”

Prof. dr. Engjëll Sedaj

Shënim:

Ky artikull është shkëputur nga libri tashmë në Shtypshkronjë: “Imzot Pjetwr Bogdani në New York” (New York, 2009), botuar nën kujdesin e aktivistit shqiptaro-amerikan z. Tonin Mirakaj dhe dizanjuar nga Albania Yellow Pages.