| RIZA SH. LUSHTA NJERIU PËR TË CILIN MERITOHET TË SHKRUHET MË SHUMË |
|
|
|
| Saturday, 17 October 2009 12:50 | ||||
|
Riza lindi në Mitrovicë në një familje të pasur tregtare. Babai i tij Shabani i kishte dy fëmijë djalin Rizahin dhe vajzën Magbule. Me që i ati Shabani, ishte një tregtar i pasur dhe i njohur jo vetëm në Mitrovicë por edhe më gjerë, djalin e vetë Rizën qysh herët e dërgoi në shkollim në Shqipëri, sepse asokohe në Kosovë nuk ekzistonin shkollat shqipe. Në Tiranë Riza kreu shkollën fillore, dhe u regjistrua në shkollën e mesme teknike shqiptaro-amerikane, ku disa vjet më parë, po aty kishte mësuar edhe patrioti i madh dhe vendasi i tij atdhetari dhe veprimtari i pa kursyer i çështjes kombëtare, dashamiri i arsimit shqipe Bedri Gjinaj, me angazhimin dhe përpjekjet e të cilit gjatë viteve 1941-1944, u hapën shkollat shqipe në Mitrovicë dhe rrethinë. Ishte kjo e para shkollë profesionale politeknike në Shqipëri, e cila në literaturën e para luftës është quajtur, Shkolla Teknike Amerikane ose Shkolla e Hari Fulcit (Harry Trevly Fultz). Lushta, qysh ende si i vogël ndiqte ndeshjet e futbollit tek fusha qendrore e qytetit. Por, si duket pasioni ndaj futbollit bëri që mos të vazhdoi shkollimin e mëtutjeshëm. Kështu, ende pa kaluar shumë kohë Lushta arriti të regjistrohet në skuadrën që atëherë ishte më e mira në Shqipëri, në Sport Klub Tirana, në të cilën për kohë të shkurt u bë ylli i saj. Më 28 qershor 1936, shënohet ndeshja e parë e tij kundër “Vllaznisë”, e cila ishte me pikë të barabarta me SK Tiranën. Në këtë ndeshje Lushta shënoi tri gola, që ishin secili më i mirë se tjetri. Më pas ai u bë figura qendrore e Tiranës dhe për disa vite futbolli shqiptar do të kishte si emblemë Lushtën apo Lustrën, siç e quanin sportdashësit. Më 7 prill të vitit 1937, SK Tirana mundi skuadrën e Cetinës në fushën e saj me 7-0
RIZA SH. LUSHTA 1916 Mitrovicë-1997 Torino Në këtë ndeshje Lushta shënoi disa gola duke u bërë tmerri i mbrojtjes dhe i portierëve. Po këtë vit 1937, ekipi i Lushtës u bë kampion shtetëror. Ai shpesh herë luante edhe për ekipin e Shkodrës, kur ata kishin takime jashtë Shqipërisë. Djaloshi Mitrovicas, me vrapimet e shpejta, me lëvizjet e mrekullueshme dhe me dinamikën që tregonte gjatë lojës, shpejt iu ra në sy njerëzve përkatës të futbollit shqiptar të atëhershëm, dhe si të tillë ata fare pa u hamendur e pranuan dhe e futën Lushtën të luaj në ekipin shtetëror të Shqipërisë. Nga Shqipëria Riza Lushta kalon në skuadrën e Barit të Italisë. Dhe pas 15 ndeshjeve të suksesshme dhe një vit qëndrimi në Bari, ai kaloi në skuadrën e “Juventusit”, ku luanin lojtarë të mëdhenj botëror si Foni, Lokateli, Rava etj. Për te ishin të interesuar edhe ekipet tjera të njohura si Fioretina dhe Venediku, por Riza e zgjodhi Juventusin. Këtu qëndroi pesë vjet, prej 1940-1945. Më 28 qershor 1942, në finalen e Kupës së Italisë, Juventus-Milano, me ç’rast fiton Juventusi me rezultat 4-2, Lushta i kishte shënuar tre gola, duke bërë që Juventusi të fitojë Kupën. Në vitin e njëjtë Riza Lushta u zgjedh lojtari më i mirë i vitit, jo vetëm i Juventusit por edhe të Italisë. Në çdo ndeshje të Juventusit Riza, ishte gol shënuesi më i mirë. Kështu me 15 gola të shënuara në vitin 1942, dhe 17 gola në vitin 1943, ai u bë golashënuesi absolut i kampionatit Italian ndërmjet lojtarëve të huaj. Gazetari i mirënjohur Kosovar i sportit Xhavit Kajtazi, në shkrimin e tij të mëhershëm me rastin e vdekjes së Riza Lushtës, duke shkruar për te mes tjerash thotë: “ Zaten nuk është rastësi që Riza të llogaritet ndër njëzet futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave të Juventusit.” Stinoren e vitit 1945-1946, Riza luajti për skuadrën e Napolit, në të cilën e kaloi një vit të shkëlqyer. Ndërsa pas një vit angazhimi në skuadrën e Napolit, ai shkoi në Aleksandri ku qëndroi prej viti 1946-1949, dhe në 26 ndeshjet e luajtura i shënoi 13 gola. Në vitin 1949, duke u larguar nga Aleksandria Riza shkon të luaj në Kanë të Francës në të cilën i luajti tri kampionate, dhe në vitin 1951, e mbylli karrierën e tij sportive. Kjo ishte sa i përket jetës së futbollistit të njohur Riza Lushta, që nga femëria e deri te fundi i karrierës së tij sportive. Ndërsa që një kohë pas lënies së futbollit Riza shkon në Amerikë, por i zhgënjyer me jetën dhe ambientin amerikan, siç kishte thënë ai vetë “se në Amerikë jetojnë duke shikuar secili hallin e vetë”, në ç’mënyrë Rizës kjo i kishte penguar shumë. Në vitin 1975, nga Amerika kthehet në Torino. Ndërsa Kosovën herën e fundit e viziton më 1963. Ishte mërzitur shumë kur në qytetin e tij të lindjes Mitrovicë, nuk i kishte takuar shumë shokë të mëhallës si dhe familjar të tjerë, të cilët ishin shpërngulur për në Turqi, dihet nga dhuna, persekutimet, ndjekjet dhe fushata tjera antinjerëzore që u bëheshin shqiptarëve nga ana e shtetit serbo-sllav. Qyteti sipas tij kishte ndërruar formën dhe pamjen, nuk i dëgjoja zërat dhe nuk i shohë figurat të cilët ma përkujtonin të kaluarën time të herë pas hershme në këtë qytet, u kishte thënë Riza të tjerëve.
Riza Shaban Lushta vdiq në Torino të Italisë më 25 janar të vitit 1997, në moshën 81 vjeçare. Për pak nuk arriti ta përjetoi Kosovën e lirë, për të cilin aq shumë e digjte malli dhe për të cilin vazhdimisht i lutej Zotit që Kosovës dhe shqiptarëve tu falë rehatin dhe lirinë që e meritojnë. Sot në Mitrovicë ekzistojnë dy stadiume të futbollit dhe, njëra prej tyre (e vjetra) mbanë emrin e Riza Lushtës, ndërsa tjetra i riu quhet me emrin e Adem Jasharit. Shpresoj se ky shkrim i shkurt dhe modest të jetë shkak shtyrës që adhuruesit apo historianët e sportit shqiptar të hedhin ma shumë dritë rreth këtij dhe personaliteteve tjera të sportit shqiptar që në një mënyrë apo tjetër kanë lënë emër në sportin shqiptar dhe atë botërorë.
|
||||
| Last Updated ( Saturday, 17 October 2009 12:58 ) | ||||
Marketingu









