SmallMediumLarge NarrowWideFluid
Koment: KORRUPSIONI, A KA FORCË QË E ÇRRËNJOS PDF Print E-mail
Publikuar nga Shevki Sh. Voca   
Sunday, 18 October 2009 22:02
“Aty ku s’ka moral, ligji nuk ka vlerë.” (fjalë e urtë latine) Një fjalë e urtë latine thotë: “Aty ku s’ka moral, ligji nuk ka vlerë.” Për korrupsionin si një dukuri patologjike dhe e shëmtuar nëpër vende të ndryshme të botës, qofshin ato të zhvilluara, në zhvillim apo të prapambetura, nga studiues dhe analistë të ndryshëm është shkruar dhe vazhdon të shkruhet.

Qysh herët, në kohën e Greqisë antike korrupsionin e pati zënë në gojë Aristoteli, duke e përkufizuar si shprehje e prishjes morale të vlerave shoqërore. Të këtij mendimi ishin shumë më vonë edhe Makiaveli dhe Monteskjë. Ndërsa tani, në kohët e reja profesori mirënjohur i politikës jashtme amerikane në Christian A. Herter School of Advancsd International Studies of the Hopkins University, dhe bashkëpunëtori i lart i Këshillit për marrëdhënie ndërkombëtare, Majkel Mandellbaun, i cili është edhe komentues i rregullt për politikë të jashtme në gazetën NEWSDEY,- në njërin nga librat e tij të fundit, “Idetë që e pushtuan botën” për të cilën libër diplomati amerikan, i cili pa dyshim është  me një përvoje të madhe të politikës ndërkombëtare- Henri Kisinxher, njëherësh edhe njëri nga figurat më vendim prurës që vepron nga prapaskena  e po kësaj politike (lexo: komisioni trelateral, pl.. Sh. V.) thotë: “Libri i Mandelbaunit hedhë një dritë të re dhe nxiton në mendime”- duke bërë fjalë për korrupsionin, në mes tjerash, shkruan: “Korrupsioni është keqpërdorim i pozitës zyrtare për pasuri personale, që zhvillohet kur ndonjë person privat nëpërmes mitos  përvetëson nëpunësin zyrtar që të fitojë një privilegj ekonomik shumë më të vlefshëm se ryshfeti  i dhënë, apo edhe kur zyrtari shtetëror e shfrytëzon pozitën e tij që të pasurohet në mënyrë jo të ligjshme” fq.241. Kurse studiuesi kroat, profesori i Fakultetit Juridik në Zagreb, dr. Josip Kregar, pjesëmarrës në shumë tubime ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit, si dhe i njohur me ligjëratat e tij mjaftë të rrepta për parandalimin e kësaj  sëmundjeje shumë të rëndë, në mes të tjerash thotë: “Korrupsioni është një sëmundje e rëndë, sistem aberativ në të cilën klasa udhëheqëse politike interesin e vet personal e vë para interesit të bashkësisë politike.” Madje edhe Froni i Shenjt në aktet e veta  korrupsionin e proklamon si të mëkatshëm dhe të kobshëm, kur Papa Gjon Pali II më 1 janar 1997, në mes tjerash deklaroi: “Korrupsioni njësoj si edhe manipulimet ideopolitike, në bazë janë në kundërshtim me të vërtetën, dhe si të tilla ato sulmojnë vetë themelet e harmonisë shoqërore, duke i zvogëluar mundësit e marrëdhënieve paqësore në shoqëri.” Edhe i dërguari i fundit i Zotit, profeti Muhamed a. s. ndaloi çdo lloj ryshfeti apo mitoje, ngase ajo dobëson vlerat e besimit ndaj zotit. Ndërsa sipas organizatës “Transparency International”, për të cilën dot flasim më vonë,Korrupsioni është keqpërdorim i autoritetit për çështje të interesave personale.”

           Sot në botë nuk ekziston ndonjë shtet që është plotësisht imune ndaj korrupsionit. Ai është i pranishëm çdo kund, dhe nuk mund të themi se ku është më i përhapur dhe më

i rrezikshëm; p.sh. në politikë ku korrupsioni mbahet fuqishëm në zhvillimin e vendit dhe me këtë edhe në vetë prosperitetin e qytetarëve të sajë; apo, ndoshta më shumë për të na brengosur është qytetarët tek të cilët si duket çdo ditë e më tepër korrupsioni po zë vend si diçka krejtësisht e thjeshtë duke e përdorur at si një vegël të fuqishme  për interesat e tyre individuale. Thënë thjesht, korrupsioni është bërë pjesë e jetës sonë të përditshme.

      Korrupsioni mund të konsiderohet si një situatë e posaçme e këmbimit në të cilën nëpunësi publik pozitën e vetë e konsideron si burim të të ardhurave për të shtuar fitimet personale. Shkrimtari, filozofi dhe juristi anglez Xheremi Bentham (1748-1832), sipas të cilit qeniet njerëzore ekskluzivisht janë të motivuara për interesa personalë ( M. Peri, “Historia intelektuale e Evropës moderne” fq. 308), shkruante: “Në kohët e shteteve para moderne konsiderohej se është e arsyeshme që të blihen postet publike, të zgjidhen nëpunësit sipas prejardhjes apo sipas kriterit partiak, të aplikohet “ligji i kadiut”, të trajtohen qytetarët si objekt i të sunduarit e jo si bartës të sovranitetit” etj. Ky tip i sistemit shtetëror mbizotëronte në Anglinë viktoriane, në Rusin cariste, në Prusi dhe në shtete të tjera të organizuara edhe gjatë shek. XIX.. Korrupsioni në disa vende paraqet një problem serioz, politik dhe ekonomik, kjo sidomos, por jo si përjashtim, vlen për vendet në zhvillim dhe në transicion. Shumë studiues bëjnë me dije për ekzistimin tradicional të korrupsionit si një kulturë e llojit të vetë, dhe që në disa vende kjo traditë e ryshfetit a mitos ekziston në shekuj. Shuma e ryshfetit qoftë ajo e madhe a e vogël, konsiderohet si pjesë normale e sjelljes. Mirëpo, sado që është e vërtetë se ekziston korrupsioni si pjesë e traditës, ai në formën e sajë patologjike shtohet në situata të reja, në tregun e ekonomisë moderne dhe në shërbimet publike shtetërore, dhe kjo nuk i përngjet traditës së cilës i referohet. Për këtë shkak tradita e ryshfetit më parë dhe më shumë shërben si pretekst dhe alibi për ata që e shfrytëzojnë. Si duket me të drejtë konstaton profesori i njohur Mandelbaun në librin që cituam më lart: “Korrupsioni është në mënyrë inversive i lidhur me sundimin e ligjit, dhe nëse njëra është e fortë tjetra do të jetë e dobët. Thënë me zhargonin ekonomik, korrupsioni është tatim apo taksë.” Prandaj edhe pse në njëfarë forme korrupsioni mund të jetë i pranishëm nga do, përfshirë këtu edhe shtetet e zhvilluara, ky tatim nuk do të thotë që ekonomia nuk funksionon.

       Pa marrë parasysh se çfarë janë efektet direkte, korrupsioni në politikë i ka konsekuencat negative të cilat në mënyrë indirekte reflektohen edhe në rezultatet  ekonomike. Shfrytëzuesit e korrupsionit i kanë interesat e tyre absolute në bllokimin e funksionimit të sundimit të ligjit, sepse me këtë atyre u dëmtohen fitimet. Sa më tepër që të ketë korrupsion në shoqëri, aq më të fort do të jenë kundërshtarët e politikës liberale, dhe në një rast të tillë sundimi i ligjit do të funksionojë shumë më vështirë. “Ata që pasurohen në mënyrë ilegale, ndodhë që shumë shpesh pronat t’i lënë peng nëpër ndërtimet e fuqishme legale, me qëllim që të shpëtohet ajo që është fituar,” shkruante në kohën e vetë Xh. Helmani në “Bota dhe politika” (fq. 203-204). Nëse pushteti është autokrat, ndërsa sundimtari e ndien veten të sigurt se nuk do të ndërrohet, ai investitorëve u ofron një siguri, dhe është krejt normale që investimet nga vendi dhe jashtë-të shtohen. Shembull spektakular i kësaj, ishte Indonezia gjatë sundimit të Suhartos në përfundim të shek. XX, që  kishte një shkallë të lartë të shtimit të investimeve. Mirëpo, para përfundimit të pushtetit të Suhartos, kur dilte gjithnjë e më e ashpër çështja e trashëgimtarit të tij, anëtarët e familjes së tij dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë filluan

me të madhe të vepronin në projekte që për një kohë të shkurtër u sollën përfitime të mëdha. Sa për ilustrim, të shtojmë se familja e kryetarit Suharto dominonte me ekonomin e vendit, ata mbanin një pjesë të madhe të veprimtarisë, duke përfshirë komunikacionin ajror, ndërtimtarinë, telekomunikacionin, ndërtimin e rrugëve, shtypin, patundshmëritë si dhe automobilat. Anëtarët e kësaj familjeje si dhe miqtë e afërm të tyre kishin përparësi

që nga qeveria të siguronin kontratat dhe licencat, gjë që u mundësonte atyre të ishin në memorandumin e kompanisë. Për ti kënaqur anëtarët e familjes si dhe përfaqësuesit me të cilët kishin lidhje të ngushta, ai ( lexo-Suharto) nëpër kontrata vepruese shtonte plus 30 për qind. Kështu vlera e çmimit të pasurisë së tij bashkë me anëtarët tjerë të familjes, deri para përfundimit të sundimit kishte arritur shumën e tridhjetë miliard dollarëve. E gjithë kjo iu mundësua kësaj familjeje, përmes korruptimit të njerëzve të ndryshëm në qeveri dhe gjetiu.

       Sipas indeksit perceptues për korrupsion të vitit 2005, që e ka përgatitur “Transparency Interational” në regjistrin e të cilit gjinden 159 shtete të botës,  Indonezia bashkë me Azerbajxhanin, Etiopinë, Irakun, Liberinë dhe Uzbekistanin radhiten në vendin137, me notën e indeksit 2,2. Nota e madhe sipas kësaj organizate është 10, (asnjë vend nuk është notuar kaq), që nënkupton se në vendin që vlerësohet me kaq, nuk ka korrupsion, ndërsa nota 0 (as me këtë not nuk ka të vlerësuar)  tregon se e tërë shoqëria është e mbytur me korrupsion. Pra, siç po shihet, Indonezia edhe më tutje është një vend ku korrupsioni i ka ende rrënjët mjaft thellë. Më vonë dot japim regjistrin që ka përgatitur organizata ndërkombëtare joqeveritare T. I., në të cilën përfshihen të gjitha ato vende që kanë shkallë të ulët apo të lartë të korrupsionit.

       Dy studiues mjaft aktivë dhe të zëshëm në luftën  për parandalimin e korrupsionit dr.P. Jovanoviq dhe mr. D. Pantiq, në studimin e tyre të përbashkët “Korrupsioni si fenomen ekonomik: shkaqet, pasojat dhe reforma”,mes të tjerash shkruajnë: “Nëpër ato vende ku institucionet nuk janë fort të zhvilluara, të thuash është bërë si njëfarë rregulle që sundimtari sa më tepër ta ndiej veten të pasigurt në kuptimin e ikjes nga pushteti, ai aq më shumë i kushtohet grumbullimit të pasurisë nëpërmjet korrupsionit. Kështu përzierja e tij me punët ilegale, atë e bënë edhe më të pasigurt, dhe kësisoj vazhdon mbyllja e atij rrethi magjik.”  

       Nëse kthehemi pakës prapa, do të na kujtohet se ç’ndodhi në Rusi dhe Kinë, menjëherë pas luftës ftohtë, ku korrupsioni shpërthej me të madhe. Ndryshe nga Kina, Rusia  për shkak pasurisë së saj me lëndët e para, ishte më e ndjeshme, dhe aty u  krijua një poligon i përshtatshëm për korrupsion, kudo që ishte e mundur. Për të arritur pasuri nga shitja e naftës, diamanteve, nikelit apo përpunimit të drurit, të cilat thënë me gjuhën popullore u vidheshin, për se, Xh. Lloidi në shkrimin e tij “Kur humb Rusia” në lidhje me  këtë kaos politik dhe ekonomik në Rusi thoshte: “Raste të tilla paraqiten njëherë në milenium”, nuk kërkohej të kishe njohuri të mëdha as në marketing as në zbulime teknologjike, apo ndonjë risi në qeverisje etj. Të gjitha këto i vishen korrupsionit, ndërsa  ata që jepnin leje për punë të tilla ishin kush tjetër përpos politikanët e pushtetit. Pra, forca ishte ajo që të bënte të pasurohesh direkt  dhe më lehtë. Ta paguaje ndonjë nëpunës që ta fitoje  kontrollin mbi lëndët e para shumë të vlefshme, apo ta shfrytëzoje pozitën në grabitjen e disa privilegjeve dhe fitimeve-ishte një rrugë e sigurt për t’u pasuruar, të cilën e trasuan shumica. Pra institucionet Sovjetike nuk u atrofizuan apo u shkatërruan nga vetë vetiu, por ato u shpërndan në mënyrë aktive nga vetë udhëheqësit nëpër të gjitha nivelet e pronave të nxjerra. Ndërsa ekonomisti dhe studiuesi  kinez He  Qinglian, për kohën e reformave tregtare në Kinë shkruante: “Reformat në tregti kishin rezultuar në një proces në të cilën ata të pushtetit me gjithë satelitët (shërbëtorët) e tyre i plaçkitën pronat shoqërore. Qëllimet primare të plaçkitjeve të tyre ishin tërë pasuria që ishte në pronësinë shtetërore, e cila për dyzet vjet rresht ishte akumuluar falë djersës së popullit. Caku primar i këtyre plaçkitjeve ishte fuqia politike.”

      Pra kur Rusia dhe Kina filluan reformat tregtare, ajo që dikur ishte pronësi e shtetit, brenda një nate iu dha në dispozicion  pronave private. Aktivin më të vlershëm e murrën ata të cilët ose ishin në pushtet ose ishin shumë të afërt me qarqet e tyre-shkruante profesori Mandellbaun. I lutemi Zotit që ne (në Kosovë) mos të na ndodhë kështu!?!            Por...

      Vitet e fundit nga nivele të ndryshme është ndërmarrë një aksion politik për parandalimin e korrupsionit. Organizatat ndërkombëtare, disa qeveri, shoqata dhe organizata jo qeveritare ndërkombëtare, si dhe personalitete të shquara kanë iniciuar hartimin e dokumenteve dhe të aksioneve konkrete për të luftuar kundër korrupsionit. Korrupsioni duhet të çrrënjoset,  sepse është i pa pranueshëm në licitacione normale tregtare.

       Në Kombet e Bashkuara është miratuar Rezoluta kundër korrupsionit dhe mitos, si dhe deklarata për ndalimin e mitos në rregullore të transaksioneve ndërkombëtare. Nga format e ndryshme të parandalimit të korrupsionit, është normale dhe e arsyeshme të kërkohet; që në transaksionet ndërkombëtare komerciale, të gjenden mënyrat e zbulimit të kriminalizimit të korrupsionit dhe mitos, dhe të apelohet te të gjitha vendet dhe subjekte tjera të të drejtave ndërkombëtare që të forcohen në luftën kundër korrupsionit,- thuhet në rezolutë. Kurse në përmbajtjen e deklaratës u bëhet thirrje anëtarëve që të ndërmarrin aksione efektive dhe konkrete të të gjitha formave të mundshme për parandalimin e korrupsionit dhe të ryshfetit, si dhe të gjitha forma të tjera të veprimtarive të tilla në transaksionet ndërkombëtare, posaçërisht duke u përpjekur që të zbatohen ligjet ekzistuese të cilat ndalojnë ryshfetin dhe duke nxitur që ato ligje të pranohen, nëse ligje të tilla rastësisht nuk ekzistojnë, të thirren korporatat private dhe publike, duke përfshirë korporata multinacionale dhe individ, që të punojnë në arritjen e këtij qëllimi.

     Njëra nga mbrojtësit kryesor botërorë të lëvizjes në luftën kundër korrupsionit është edhe Banka Botërore. Ndonëse Banka botërore nuk lejohet të përzihet në çështje politike të anëtarëve të saja, duke qenë se ajo është formuar me qëllim që mjetet që i ndan, të shfrytëzohen në qëllime të caktuara, që kontratat për shërbime të mira të jenë sa ma të rregullta dhe të përshtatshme,-Banka sot dëshiron të shkojë më larg; ajo u ofron ndihmën e saj atyre qeverive të cilat dëshirojnë ta luftojnë korrupsionin duke theksuar se në programet e saja të dedikuar për ndihmë, nuk dot ketë kurrfarë tolerance ndaj korrupsionit... Banka mund të pezulloi çdo lloj ndihme nëse në kontratat e bëra ka korrupsion dhe shpërdorim, nga realizimi i kontratave ajo ka të drejtë të mbikëqyr llogarit e subkontraktorve, gjithashtu ajo mund t’i përjashtoi (lista e zezë) ndërmarrjet që shërbehen me korrupsion etj.

      Në njërën nga mbledhjet e FMN-së dhe Bankës botërore të mbajtur në Hong Kong, pika e parë e konkluzioneve bënte fjalë për korrupsion. Ministrat dhe guvernatorët e bankave nacionale, duke theksuar se korrupsioni është një problem global, kërkuan

nga të gjitha vendet që të krijohet një aksion i harmonizuar, ndërsa të gjitha institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht bankave dhe agjencive, iu bë apel që me rastin e investimeve në parandalimin e korrupsionit, të jenë të inkurajuar. Në njërën prej dokumenteve të shumta të ratifikuara të Bankës botërore për korrupsion,në mes të tjerash, 

shkruan: “Korrupsioni kthen prapa efikasitetin ekonomik, të varfërve iu plaçkit mjetet dhe u jep të pasurve, ajo shton shpenzimet e veprimtarëve ekonomik, ndërsa ato publike i ndryshon si dhe refuzon investitorët e huaj. Korrupsioni rrënon  përkrahjet që vijnë nga programet e zhvilluara dhe nga ndihmat humanitare.” etj.

      Edhe Këshilli Evropian,  pas një takimi ministror të drejtësisë, mbajtur në Maltë (1994), pikërisht në kuadër të vet e formoi grupin multidisciplinor (GMC) për të luftuar korrupsionin. Ai përgatiti një varg masash ndëshkimore, civile dhe administrative për parandalimin e korrupsionit. Kurse disa vite më vonë (1997), në Konferencën Evropiane të Ministrave të Drejtësisë, mbajtur në Pragë, tema kryesore ishte “Lidhjet mes korrupsionit dhe krimit të organizuar.” Në këtë konferencë u tërhoq vërejtja se ekziston mundësia që, duke i shfrytëzuar financat pronësore dhe mundësit tjera, krimi i organizuar të infiltrohet  në institucionet shtetërore, veçanërisht me korrupsion, dhe kështu dëmtohen të arriturat demokratike, ngadalësohen zhvillimet zotëruese dhe reformat e nevojshme. U përkrah iniciativa që të krijohet një bazë juridike e cila e lufton  korrupsionin, këtë fenomen të shëmtuar(në suaza të konventës  për krimin e korrupsionit), por njëkohësisht edhe u theksua se, për të qenë instrumentet e së drejtës ndërkombëtare sa më të besueshëm në fushën e korrupsionit, ata duhet të shoqërohen me masa efektive. Mbeti e njohur fjalia e ministrit P. Leuprecht kur tha: “Ajo çka dëshirojmë ne, ta ndërtojmë në Evropë, është demokracia e jo kleptokracia.” Ministrat Evropian të drejtësisë më vonë mbajtën edhe konferenca tjera të këtij lloji, si p. sh. ajo e Strasburgut etj.

    Nga ministra të ndryshëm dhe njerëz të fuqishëm dhe me ndikim, vazhdojnë të mbahen tubime, mbledhje, konferenca, simpoziume etj., qofshin në nivel  ndërkombëtar apo vendor (lokal), të cilët, së paku sipas asaj që njoftohet nëpërmjet mjeteve të ndryshme të informimit, qofshin ato gazeta, televizion, radio apo kohët e fundit- rrjeti i internetit,- mund të vërejmë se kanë për qëllim luftën dhe parandalimin jo vetëm të korrupsionit, por edhe të krimeve të tjera të organizuara, të cilat  kanë vërshuar botën sot. Por, për të qenë ironia më e madhe, si duket, këtyre dukurive nuk po u shkurtohen rrënjët, veçse po ngjet e kundërta, çdo herë e më tepër korrupsioni po ngulitet thellë e më thellë. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Më mirë të punohet kot se sa të rrihet kot.” Shpresat nuk duhet humbur!

    Transparency International është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare,  jo profitabël dhe apolitike e formuar në vitin 1993, e cila lufton në parandalimin e korrupsionit. Ajo, në bashkëpunim me disa shoqata tjera vepruese, stimulon masa të ndryshme që të pengohet korrupsioni. Kjo organizatë gjithashtu publikon raportin vjetor (rang listën e vendeve më së paku të korruptuara dhe anasjelltas) të zgjerimit të korrupsionit dhe modelet e akteve të kontraktuara dhe të legjislacioneve.  

     Rang lista për vitin 2005 e Transparency Internationl,e cila ka përfshi 159 vende të ndryshme të botës, siç e cekëm më lart, na tërheq vërejtjen për një rrezik të jashtëzakonshëm nga korrupsioni. Më tepër se dy të tretat e vendeve nga numri i tërësishëm i kësaj liste, janë notuar me më pak se pesë,  që sipas vlerësimit të organizatës në fjalë, tregon se niveli i korrupsionit në to është mjaftë i lart. Kryetari i Transparencës, Peter Ajgen, në një konferencë  në Berlin, mbajtur në vitin 2005, njoftoi se 70 shtete   indeksin e kanë më pak se 3,0, që nënkupton se korrupsioni në to paraqet një problem mjaftë serioz. 

     Po japim këtu poshtë  ranglistën e vendeve sipas indeksit perceptues të korrupsionit për vitin 2005:

     Islanda me notën 9,7 është në vendin e parë me më së paku korrupsion, pasojnë Finlanda dhe Zelanda e Re me notën 9,6; Danimarka 9,5; Singapori 9,4; Suedia 9,2; Zvicra 9,1; Norvegjia 8,9; Australia 8,8; Austria 8,7; Holanda dhe Britania e Madhe me notën 8,6; Luksemburgu 8,5; Kanada 8,4; Hong Kongu 8,3; Gjermania 8,2; SHBA 7,6; Franca 7,6; Belgjika dhe Irlanda 7,4; Çile dhe Japonia 7,3; Spanja 7,0; Barbadosi 6,9; Malta 6,6; Portugalia 6,5; Estonia 6,4; Izraeli dhe Omani 6,3; EBA 6,2; Botsuana, Katari, Tajvani dhe Uruguai janë të notuar me 5,9; Bahrejni 5,8; Qiproja dhe Jordania 5,7; Malajzia 5,1; Hungaria, Italia dhe Koreja J. 5,0; Tunizia 4,9; Lituania 4,8; Kuvajti 4,7; Afrika J. 4,5; Çekia, Greqia, Namibia dhe Sllovakia 4,3; Kosta Rika, El Salvadori, Letonia, dhe Mauriciusi 4,2; Bullgaria, Kolumbia, Fixhi dhe Sejshelleti 4,0; Kuba, Tajlanda, Trinidad-Tobago (dy të fundit janë një shtet të formuar nga dy ishuj në Amerikën jugore, vër. Sh. V.) 3,8; Belize dhe Brazili 3,7; Xhamajka 3,6; Gana, Meksikoja, Panama, Peruja dhe Turqia 3,5; Burkina Faso, Kroacia, Egjipti, Lesoto, Polonia, Arabia Saudite dhe Siria 3,4; Kina, Maroku, Senegali, Sri Lanka dhe Surinami 3,2; Libani Ruanda 3,1; R. Dominikane, Mongolia dhe Rumania 3,0; Jermenia, Benini, B. dhe H. Gaboni, India, Irani, Mali, Moldavia dhe Tanzania, ndajnë notën 2,9; Algjeria, Argjentina, Madagaskari, Malavi, Mozambiku, dhe Serbia e Mali i zi ( atëherë ishin bashkë) 2,8; Gambia, Maqedonia, Suazilandi dhe Jemeni 2,7; Bellorusia, Eritreja, Hondurasi, Kazakistani, Nikaragua, Palestina, Ukraina,Vietnami, Zambia dhe Zimbabve2,6; Afganistani, Bolivia, Ekuadori, Guatemala, Guajana, Libia, Nepali, Filipinet, dhe Uganda 2,5; Shqipëria, (nuk po ndahet prej Rusisë, SH.V.), Rusia,Nigeria dhe S. Leone 2,4; Burundi, Kamboxhia, Kongo, Geruzia, Kirgizia, Papua-Guineja e Re dhe Venezuela 2,3; Azerbajxhani, Kemruni, Etiopia, Indonezia, Iraku, Liberia dhe Uzbekistani 2,2; R. D. Kongo,Kenia, Pakistani,Paraguai, Somalia, Sudani dhe Taxhikistani 2,1; Angola 2,0; Bregu i Fildishit, Guineja Ekua. Dhe Nigeria 1,9; kurse me notën 1,8 janë Haiti, Mianmari, dhe Turkmenistani; ndërsa në vendin e fundit me shkallën më të lartë të korrupsionit për vitin e kaluar 2005, gjenden Bangladeshi dhe Çadi indeksi i të cilëve mbanë notën 1,7.

    Vendet në fund të listës janë njëkohësisht edhe vende më të varfra, ndërsa hulumtimet tregojnë se investimet janë të vogla në ato vende të cilat investitorët i konsiderojnë si të korruptuara.                                                                                

 

 FUND.

    Këtë material kohë më parë e botoi e përditshmja “ZËRI”, në katër vazhdime, si dhe revista ‘Dituria Islame”. Për hir të aktualitetit të tepërte dhe prezentë si një dukuri vërtet e shëmtuar në çdo shoqëri, vendosa ta plasoj edhe në ndonjërën nga faqet e internetit, me që sipas meje rrjeti i internetit më tepër po lexohet se sa shtypi ditor , javor apo mujor.