SmallMediumLarge NarrowWideFluid
Intervistë: Interes në Britani ndaj "Shqipëria, një euro" PDF Print E-mail
Publikuar nga MitrovicaPress   
Sunday, 18 October 2009 23:18

Po sa të interesuar janë investitorët britanikë për të investuar në Shqipëri, pas kësaj nisme? Blerim Kola bisedoi me ambasadorin e Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Kastriot Robo dhe fillimisht e pyeti se si e vlerësonte inisiativën "Shqipëria, një euro".

Kastriot Robo: Në kuadër të programit qeveritar, nisma e re "Shqipëria, një euro" e promovuar nga Z. Sali Berisha është një nismë jashtëzakonisht e rëndësishme në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja në Shqipëri.

Është një përpjekje serioze e qeverisë shqiptare që Shqipërinë ta bëjë një "emerging market", një treg të interesuar nga investitorët perëndimorë me qëllim që të vijnë të investojnë në vendin tonë.

Sigurisht është një përpjekje tepër serioze për thithjen masive të investitorëve perëndimorë në aspektin e rivlerësimit ose më saktë të rritjes në mënyrë të drejtëpërdrejtë të këtyre investimeve në Shqipëri.

Blerim Kola: Çfarë është bërë për të njohur investitorët britanikë rreth kësaj nisme të re në Shqipëri?

Kastriot Robo: Ne si përfaqësi diplomatike në Londër jemi përpjekur që të bëjmë një promovim të kësaj nisme dhe interesi nga investitorët britanikë ka qenë aktiv.

Blerim Kola: Çfarë është bërë konkretisht?

Kastriot Robo: Jemi përpjekur deri tani të bëjmë promovimin e kësaj nisme nëpërmjet kontakteve me median britanike dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë me investitorë dhe bisnesmenë britanikë, por në mënyrë më institucionale mendojmë që promovimi i kësaj nisme do të bëhet në një seancë të veçantë në një veprimtari të veçantë në Dhomën e Komunëve të Parlamentit Britanik në një veprimtari ku mendohet që të marrin pjesë 70 biznesmenë britanikë në datën 20 shtator.

Blerim Kola: Sa të interesuar janë investitorët britanikë për të investuar në Shqipëri?

Kastriot Robo: Ajo që është e rëndësishme është që tendenca e biznesit britanik drejt Shqipërisë vjen gjithmonë e në rritje. Aktualisht ne kemi investitorë britanikë në Shqipëri.

Do t'i referohesha këtu prezencës së Vodafonit apo British Petrolium, por në të njëjtën kohë në momentin që flasim interesat e biznesit britanik drejt Shqipërisë për të investuar në Shqipëri kanë qenë në rritje.

Mendoj që vendimi i fundit i qeverisë britanike, kur British Airways filloi fluturimet direkte drejt Shqipërisë është një shenjë e interesimit të investitorëve britanikë drejt Shqipërisë për të lëvizur në drejtim të Shqipërisë, jo thjesht vetëm si turistë, por edhe në fushën e biznesit dhe të investimeve britanike drejt vendit tonë.

Blerim Kola: Sa të lehtësuar ndihen investitorët britanikë për të investuar në Shqipëri?

Kastriot Robo: Siç e theksova interesi i investitorit britanik drejt Shqipëri ka ardhur gjithmonë e në rritje. Në mënyrë të veçantë së fundi kemi një rivlerësim të situatës aktuale në Shqipëri dhe në këtë aspekt nisma "Shqipëria, një euro" e bën tejet të interesuar investitorin britanik për të parë mundësitë e investimit në Shqipëri, për të futur Shqipërinë në listën e asaj që unë theksova më lart "emerging market" në Europë.

Por nga ana e tjetër mendoj që për momentin, kjo nismë është jashtëzakonisht optimale, sepse bëhet menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes së asociim stabilizimit midis Brukselit dhe vendit tonë.

Dhe siç e dimë pak ditë më parë kjo marrëveshje u ratifikua edhe nga parlamenti europian dhe e kemi marrë sigurime optimale nga shumë vende anëtare të Bashkimit Europian, përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar që ratifikimi i kësaj marrëveshje do të kalojë pa probleme pranë qeverive respektive.

Kështu që nga kjo pikëpamje mendoj se është momenti optimal për biznesmenët e huaj për t'iu përgjigjur pozitivisht thirrjes së qeverisë shqiptare për të ardhur për të investuar në Shqipëri.

Sigurisht nisma është tërësore dhe shoqërohet me një sërë masash në aspektin e lehtësimit të procedurave burokratike për hapjen dhe fillimin e aktivitetit ekonomik të biznesmenëve të huaj në vendin tonë.

Jo më pak se disa ditë më parë qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje me një kompani britanike me MedOil për të filluar kërkimet e naftës në zonën e bregdetit jonian.

Kjo është një tregues i drejtëpërdrejtë dhe i mirëfilltë i interesit britanik drejt vendit tonë dhe unë jam i sigurtë që kjo marrëveshje do të shoqërohet me lëvizje të tjera të biznesit dhe të investitorëve britanikë në drejtim të vendit tonë.

I referohem këtu interesit që ato kanë treguar për industrinë energjitike në Shqipëri për hidrokarburet, për veprat infrastrukturore dhe në mënyrë të veçantë për momentin po duket një interes i Bankave dhe kapitalit financiar britanik në drejtim të vendit tonë.

 

Marketingu