SmallMediumLarge NarrowWideFluid
Sa e lehtë është të bësh biznes në Shqipëri? PDF Print E-mail
Publikuar nga MitrovicaPress   
Sunday, 18 October 2009 23:13
Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri Nadir Mohamed
Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri Nadir Mohamed

Në krahasim me raportin e publikuar vitin e kaluar, Shqipëria ka zbritur 5 vende, ndërkohë që vendet e rajonit si Maqedonia, Serbia kanë bërë progress sipas këtij raporti.

Blerim Kola bisedoi me përfaqësuesin e Bankës Botërore në Shqipëri, Nadir Mohamed dhe fillimisht e pyeti se cili ishte komenti i tij për raportin e publikuar së fundi.

Nadir Mohamed: Ashtu siç e dini, Banka Botërore i realizon këto analiza pothuajse çdo vit dhe vendet renditen sipas disa kritereve të caktuara.

Disa vende ngjiten në listë, ndërsa disa të tjera zbresin dhe në të vërtetë kjo reflekton dy gjëra. Reformat që ndërmerr vendi për të përmirësuar klimën e biznesit, por gjithashtu reflekton se edhe cilat janë hapat, që kanë ndërmarrë vendet e tjera dhe nëse ato po bëjnë më shumë progres në këtë drejtim.

Kështu që në vendin, ku nuk bëhet aq sa duhet, atëherë këto vende do e shohin veten e tyre duke u kthyer prapa.

Blerim Kola: Dhe këtu keni parasysh Shqipërinë?

Nadir Mohamed: Sipas gjykimit tim, Shqipëria nuk bëri aq sa duhet për të përmirësuar klimën e biznesit në vitin 2005.

Dhe në fakt ky është viti kur u realizua kjo analizë e Bankës Botërore, ndërkohë që shumë vende të tjera të rajonit kanë bërë hapa të vazhdueshme për të ecur përpara, ndërkohë që Shqipëria u kthye prapa në këtë drejtim.

Vendet që u paraqitën më mirë në rajon ishin si për shembull Serbia ose Maqedonia, të cilat morën disa hapa të rëndësishëm dhe siç shihet ata kanë lëvizur shumë shpejt në renditjen që ka bërë Banka Botërore.

Blerim Kola: Cilat kanë qenë kriteret në bazë të të cilave është hartuar analiza?

Nadir Mohamed: Analiza e bërë nuk është statike. Renditja tregon se ky vend ka marrë më shumë masa për të përmirësuar klimën e biznesit se sa vendet e tjera, kështu nëqoftëse nuk bën asgjë dhe vendet e tjera në rajon bëjnë përmirësime në klimën e biznesit vë re se ato lëvizin përpara dhe vendi i yt lëviz prapa.

Kështu që renditja në këtë analizë bëhet sipas një krahasimi relative. Nuk e krahason atë që po ndodh në një vend në izolim nga vendet e tjera përreth.

Blerim Kola: Zoti Mohamed sipas jush cilat janë pikat që kanë më shumë nevojë për përmirësim?

Nadir Mohamed: Një numër i madh i tyre. E para është se si të nisësh një biznes. Si të marrësh një liçencë. Si të marrësh leje për punëtorët. Si të regjistrosh një pronë. Si të marrësh një kredi. Si të mbrosh investitorët në vendin tënd. Sistemi i taksave, lehtësirat e tregtisë mundësitë e tregtisë në rajon.

Blerim Kola: Dhe më e rëndësishmja?

Nadir Mohamed: Vendosja e kontratave dhe hapat që merren për të mbyllur një biznes.

Kjo është kategoria më e gjerë në të cilën hedh vështrimin kjo analizë dhe duke parë rezultatet, Shqipëria nuk kishte shumë përmirësim në ndonjë prej tyre.

Blerim Kola: A po bën diçka konkrete Banka Botërore për të përmirësuar klimën e biznesit?

Nadir Mohamed: Ne po bëjmë shumë gjëra, por më e rëndësishmja është se edhe qeveria shqiptare po bën gjithashtu shumë gjëra.

Fatkeqësisht disa nga reformat që qeveria adoptoi nuk janë pasqyruar në këtë analizë, por sigurisht që ato do të reflektohen në analizën e vitit të ardhshëm.

Blerim Kola: Çfarë reformash janë ndërmarrë?

Nadir Mohamed: Ka përmirësime në sistemin e taksave, ka përpjekje për të zvogëluar evazionin fiskal. Qeveria po rishikon sistemin e licensave të dhëna dhe ka inspektime të shumta.

Ndërkohë që Banka Botërore ka nisur një projekt, i cili është më shumë i lidhur me klimën e biznesit. Ai titullohet "Klima e Biznesit dhe Reforma Institucionale" dhe ne presim që këtë t'ia paraqesim drejtorit tonë ekzekutiv tek Banka Botërore në tetor.

Ky projekt do t'i ndihmojë përpjekjet aktuale të qeverisë për të bërë përmirësime në klimën e biznesit.

Blerim Kola: Zoti Mohamed ka ndonjë gjë që do të donit të shtonit?

Nadir Mohamed: Ajo që do të doja të shtoja është se kjo është tepër kritike për rritjen ekonomike dhe për zvogëlimin e varfërisë.

Ne do të dëshironim që të shihnim më shumë përpjekje nga qeveria, nga sektori privat dhe nga donatorët që ta ndihmojnë Shqipërinë që të bëjë më shumë përmirësime në klimën e biznesit.

Kjo është përfundimisht reforma më kritike që qeveria duhet të ndërmarrë. Ne kemi shumë shembuj të mire në rajon dhe ne presim me padurim që të punojmë me qeverinë shqiptare që të kemi më shumë ndikim në klimën e biznesit.

 

Marketingu