SmallMediumLarge NarrowWideFluid
Gabriel Partos: Shqipëria një euro, iniciativë ambicioze PDF Print E-mail
Publikuar nga MitrovicaPress   
Sunday, 18 October 2009 23:31

Sipas zyrtarëve në Shqipëri " Shqipëria për një euro" synon tërheqjen e investitorëve të huaj dhe vendas për ta nxjerrë vendin nga varfëria dhe për ta drejtuar më shumë drejt ekonomisë europiane.

Blerim Kola: bisedoi me analistin e BBC-së për Evropën Juglindore, Gabriel Partosh dhe fillimisht e pyeti nëse një iniciativë e tillë ka qenë e sukseshme për vende të tjera të Evropës Juglindore dhe asaj Qëndrore

Gabriel Partos: Ky propozim tingëllon si një iniciative tepër ambicioze dhe unë nuk mendoj se ka patur ndonje skemë identike në vendet e tjera. Ka patur ide të njëjta për të tërhequr investitorët e huaj dhe më popullorja ndër to ka qenë ofrimi i nje periudhe pa taksa.

Me fjalë të tjera për t'i bërë investitorët e huaj që të investonin një shumë të caktuar parash, ku ata lejoheshin të investonin për një periudhë prej 5 deri në 10 vjet pa u taksuar në fitimet e tyre dhe sigurisht që ato do të jenë më të nxitura në një lloj mënyre që të vazhdojnë më tej me investimet e tyre.

Hungaria ishte vendi i parë që u afroi atyre këto kushte, por edhe shtete të tjera në Evropën Qëndrore dhe në atë Juglindore dhe kjo gjë ndodhi në fillim të viteve 90, vetëm pak kohë pas ndryshimeve të mëdha, kur këto vende donin që të kërkonin më shumë investitorë të huaj dhe ato ja kanë arritur, pasi pasi investimi i huaj është përqendruar kohët e fundit në Evropën Qëndrore dhe atë Juglindore.

Madje Hungaria e zgjati periudhën pa taksa edhe për 5 vjet të tjera. Por dhënia e tokës pa asnjë çmim, ose pothuajse pa asnjë çmim është një iniciative, për të cilin nuk jam i sigurtë nëse e kam hasur më parë, por tingëllon interesant dhe sigurisht mbetet të shihet se sa i rëndësishëm është për një kompani të huaj që të ketë pothuajse tokë pa kosto, në krahasim me elementët e tjera që janë të rëndësishme për një investim të huaj, siç janë qartësia dhe thjeshtësia e planifikimit burokratik, për të mos patur rregulla konfuze në aktivitetin e tyre.

Gjëja e dytë më e rëndësishme është siguria e investimit të huaj, për të demostruar se investitori i huaj do të ketë mundësinë që të nxjerrë paratë e tij sërish dhe sigurisht që nuk duhet të ketë pengesa të tilla si korrupsioni, mitmarrja, e cila e bën tepër të vështirë për investitorët e huaj, por ne duhet të presim dhe të shohim se si funksionon kjo skemë.

Blerim Kola: Në cilin vend ka qenë më efektive kjo inisiativë?

Gabriel Partos: Është një pyetje shumë e mirë, pasi ekonomistët kanë debate ndërmjet tyre nëse ofrimi i një periudhe pa taksa është më i rëndësishëm se sa disa elementë të tjerë si siguria e investimit, rregulla të qartë dhe të thjeshtë, mbizotërimi i ligjit, mungesa e korrupsionit, këto janë çështjet më të rëndësishme.

Sigurisht Hungaria për të cilin thashë se e ka ndjekur këtë skemë ka qenë ndër vendet që ka tërhequr më shumë investime në rajon.

Blerim Kola: Në cilin periudhë u aplikua ekzaktësisht kjo skemë në Hungari?

Gabriel Partos: Ajo u aplikua nga viti 1990 deri në vitin 2000 dhe sigurisht Hungaria ka marrë pjesën më të madhe të investimit të huaj.

Ndërkohë që edhe Polonia ka thithur investime të shumta, pasi ajo ka një popullsi katër herë më të madhe se Hungaria. Është një vend më i madh dhe tërheq më shumë investime për momentin.

Polonia aplikoi të njëjtat ide dhe të njëjtat inisiativa, të njëjtat mënyra për të ndihmuar investitorët e huaj. Në fakt toka është diçka tepër sensitive.

Dhe në disa raste shtetet deri sa iu bashkuan Bashkimit Evropian u përpoqën që të mos u jepnin të drejtën investitorëve të huaj që të blenin tokën.

Ata kishin të drejtë që ta merrnin me qera atë ose mund ta blenin, nëse ata do të kishin një partner të themi polak ose çek, por deri në momentin që këto vende iu bashkuan Bashkimit Evropian ata kishin të drejtë që të mos lejonin investitorët e huaj që të blenin tokë, por tashmë ata nuk e kanë këtë të drejtë.

Tashmë që ata ndodhen në Bashkimin Europian ata kanë të drejta të njëjta, përveç rastit kur kemi të bëjmë me tokë bujqësore, pasi ka një periudhë prej 8 ose 9 vjet ku ata mund t'ua mohojnë ende të huajve që të blejnë tokë bujqësore. Kjo është në njëfarë mënyre një pakt tranzicioni, por kur bëhet fjalë për prona të tjera si fabrika, zyra, shtëpi nuk ka më masa diskriminuese dhe e njëjta gjë aplikohet në Evropën Juglindore.

Disa vende janë shumë sensitive në lidhje me këtë çështje. Për shembull Kroacia është tepër sensitive nëse italianët duan të blejnë tokë në vendin e tyre, pasi më parë italianët banonin në Kroacinë e Veriut.

Një pikë tjetër sensitive dhe që vazhdon edhe sot të jetë e tillë në Çeki dhe Poloni është çështja e gjermanëve, të cilët u përzunë pas luftës së dytë Botërore.

Dhe ata janë të shqetësuar që këto gjermanë duan të blejnë toka në vendin e tyre dhe për këtë arsye ekziston ende ky pakt tranzicioni që mund të zgjasë nga 7 deri në 9 vjet, e cila mund t'i ndalojë ata në njëfarë mënyre për të blerë tokë bujqësore.

Blerim Kola: Për sa kohë mund të shihen rezultatet e kësaj politike të ndjekur?

Gabriel Partos: Sërish një pyetje shumë e vështirë, pasi mund të jetë vetëm një faktor. Kjo lloj inisiative mund të jetë vetëm një faktor mes shumë të tjerëve.

Dhe sigurisht që në rastin e Shqipërisë disa faktorë janë në favor të saj dhe disa të tjerë jo. Ajo që është e favorshme është se njerëzit kanë një sens inisiative për t'u marrë me biznese.

Po bëhen shumë zhvillime për momentin, po bëhen shumë ndërtime, paraja është kthyer nga emigrantët shqiptarë brenda vendit të tyre dhe kjo inkurajon të tjerët që të vijnë në Shqipëri dhe të thonë se nëse të tjerët po ndërtojnë edhe ne mund të ndërtojmë.

Mund të ndërtojmë zyra, apartamente. Por sigurisht që faktorët e tjerë nuk janë në favor të Shqipërisë. Ka probleme të mëdha për korrupsionin, mitmarrjen, të gjithë po flasin për këto, Bashkimi Evropian po flet për këtë dhe kjo është një nga arsyet se pse mori kaq shumë kohë për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Pra ky do të jetë vetëm një faktor ndërmjet shumë të tjerëve. Mendimi është se kostoja e tokës në Shqipëri, nuk është problemi më i rëndësishëm.

Mendoj se çështja më e rëndësishme nuk ka të bëjë me anën financiare. A jemi të sigurtë se investimet që bëjmë mund t'i tërheqim lehtësisht? A mund t'i sigurosh këta investitorë që nuk do të kenë probleme me gjykatat, nëse ajo tokë i përkiste atij apo dikuj tjetër.

Blerim Kola: Në rastin e Shqipërisë kemi të bëjmë me pronësi publike. A do të ndikojë pozitivisht kjo gjë?

Gabriel Partos: Në këtë sens kjo mund ta ndihmojë këtë proces, pasi nëse kjo është pronë publike, atëherë nuk do të ketë probleme për sa i përket pronarit të kësaj toke.

Sidoqoftë nëse kjo metodë do të zbatohet, pra nëse një gjë e tillë do të ndodhë atëherë për të parë rezultatet e kësaj do të na duhen pesë deri në dhjetë vjet. Pasi nuk mund të shihet aq shpejt rezultati i këtyre, pasi edhe nëse ata e blejnë tani tokën, duhet kokë që të ndërtohen fabrikat, zyrat, çfarëdo që mund të sjellë më shumë të ardhura. Do të duhet pak kohë.

Blerim Kola: Si mendoni se do ta vlerësojnë investitorët britanikë këtë nismë të re në Shqipëri?

Gabriel Partos: Mendoj se është pak herët që investitorët britanikë të jenë në dijeni të kësaj, pasi ligjet ende nuk janë përpiluar. Por nuk mendoj se Britania do të jetë një nga investitorët më të mëdhenj në Shqipëri, pasi pozicioni gjeografik i Shqipërisë nënkupton se Italia, Greqia, Turqia, në njëfarë mase edhe Gjermania dhe Franca kanë më shumë shanse që të bëhen investitorë të mëdhenj në Shqipëri për arsye gjeografike dhe historike.

Sidoqoftë nuk mund të mohojmë investimet britanike, p.sh si në investimet angleze që janë bërë për kërkimin e naftës, turizëm, por sidoqoftë do të duhet pak kohë përpara se të përpilohet legjislacioni, duhet kohe deri sa investitorët britanikë të njihen me këtë iniciativë, por them që do të na duhet pak kohë që të shohim rezultatet.

 

Marketingu